Kisha & Besimi

Një letër nga Jezusi!

Publikuar nga Kumrije Aliaj

Të dashurit e mi,

Siç edhe e dini ditëlindja ime po afrohet. Çdo vit bëhet një festë për nderin tim dhe mendoj që edhe këtë vit festa do të përsëritet. Gjatë kësaj kohe shumë njerëz janë duke blerë dhurata, janë duke bërë shumë lajmërime në radio, reklama në televizion, dhe në çdo pjesë të botës çdo njeri është duke folur rreth ditëlindjes sime që po afrohet.

Më vjen mirë që së paku një herë në vit, disa njerëz mendojnë për mua. Siç e dini festimi i ditëlindjes sime filloi shumë vite përpara. Në fillim njerëzit duket se arrinin të kuptonin dhe të ishin falënderues për gjithçka që kisha bërë për ta, por sot duket sikur askush nuk e di arsyen pse festojnë. Familje dhe miq mblidhen së bashku dhe argëtohen shumë, megjithatë nuk e dinë pse festojnë.

Më kujtohet se si vitin e kaluar u bë një aheng shumë i madh për nderin tim. Tryeza e darkës ishte shtruar me ushqime nga më të shijshmet me pite, fruta, arra dhe çokollata. Dekorimi ishte i mahnitshëm dhe kishte shumë dhurata të mbështjella për bukuri. Mirëpo, a dëshironi të dini diçka? Unë nuk isha ftuar! Unë isha mysafiri i nderit dhe ata kishin harruar të më çonin një ftesë. Ahengu po bëhej për mua, mirëpo kur dita e madhe erdhi, mua më lanë jashtë, ata më përplasën derën mu në fytyrën time … dhe unë, unë kisha shumë dëshirë të isha me ta dhe të haja me ta…

Në të vërtetë, kjo nuk më befasoi aspak, sepse këto vitet e fundit, të gjithë ma mbyllin derën. Përderisa nuk isha ftuar, unë vendosa të futem në shtëpi fshehurazi dhe pa bërë zë. Unë hyra brenda dhe qëndrova në një qoshe. Të gjithë po pinin; disa prej tyre ishin dehur, po tregonin shaka dhe po qeshnin me çdo gjë. Ata po kalonin një kohë të madhërishme. Për të arritur kulmin, një njeri i madh dhe i shëndoshë, i veshur i tëri në të kuqe dhe me një mjekër të madhe dhe të bardhë hyri në dhomë dukë bërtitur hoho-ho! Ai dukej krejt i dehur. Ai u ul në kanape dhe fëmijët u turrën drejt tij duke thënë “Baba Dimri, Baba Dimri” … thuajse e gjithë festa po bëhej për nderin e tij!

Në mesnatë në orën 12 të gjithë njerëzit filluan të përqafohen; unë i zgjata krahët me shpresë se ndonjëri do të më përqafonte … dhe e dini çfarë … as edhe njëri nuk më përqafoi. Papritmas të gjithë filluan t’i shkëmbejnë dhuratat. Ata i hapën ato një nga një me pritje shumë të larta. Kur të gjitha u hapën, shikova nëse kishte një dhuratë për mua. Si do të ndiheshit ju sikur në ditëlindjen tënde çdonjëri të merrte dhurata dhe ti të mos merrje as edhe një? Vetëm atëherë e kuptova se unë isha i padëshiruar aty dhe qetësisht ika nga ajo shtëpi.

Çdo vit bëhet më keq. Njerëzve thjesht u bie ndërmend të hanë dhe të pinë, dhuratat dhe ahengjet, mirëpo askush nuk kujtohet për mua. Dua që këtë Krishtlindje ti të më lejosh të hy në jetën tënde. Dua që ti ta kuptosh faktin se afërsisht para dy mijë vjetësh unë erdha në këtë botë të jap jetën time në kryq për ty që ti të shpëtoheshe. Sot, unë dua që thjesht ti ta besosh këtë gjë me gjithë zemrën tënde.

Dua të ndaj diçka me ty. Përderisa shumë njerëz nuk më kanë ftuar në ahengjet e tyre, unë kam vendosur të organizoj ahengun tim, një aheng grandioz që askush nuk e ka imagjinuar. Do të jetë një aheng spektakular.
Akoma jam duke u marrë me përgatitjet e fundit. Sot kam filluar të shpërndaj shumë ftesa dhe këtu është edhe një ftesë për ty. Do të doja ta dija nëse do të marrësh pjesë në mënyrë që të bëjë një rezervim për ty dhe të shkruaj emrin tënd me shkronja të arta në librin tim të madh të mysafirëve. Vetëm ata, emrat e të cilëve janë në librin e mysafirëve, do të jenë të ftuar në aheng. Ata që nuk i përgjigjen ftesës, do të ngelen përjashta.

Përgatitu sepse kur çdo gjë të jetë gati, ti do të jesh pjesë e ahengut tim të madh! Mirupafshim së shpejti.

Të Dua!
Jezusi

P.S. Lexouja këtë letër të dashurve tuaj para Krishtlindjes.

Autori: Anonim
Përktheu: Blerina Jashari

Burimi: Letra e Gjallë (revist)

Rreth Autorit

Kumrije Aliaj

Komento