Kisha & Besimi

Dëshmi besimi, shkruar nga Esmeralda Rrustemi

Publikuar nga Korab Zhuja

Ai na mbart me duart e tij!

E vogël isha, por kuptoja. Ndjeja vuajtjet. Ndjeja trishtimin. Ndjeja çfarë do të thotë të jesh e varfër. Ndjeja dhembjet që më shoqëronin gjatë gjithë kohës. Dhembjet e shpirtit.

Vitet kalonin dhe unë rritesha dalëngadalë (rritesha si rritesha). Babai im i shkretë, dhe që mbetet përsëri i shkretë, pasi ai ishte një burrë, për më tepër një prind.Nuk kisha menduar kurrë se nëna do të më braktiste dhe që babai do të më vdiste shumë shpejt.

Kisha tetë vjet kur më vdiq babai im i dashur, atëherë kur kisha nevojë më së shumti për baba. Por ishte Dikush tjetër që i kishte këto punë dhe që i udhëhiqte gjërat në jetë. Ai ishte kujdesur për mua që në bark të nënës sime. Nuk mendoja kurrë se unë do të bëhesha ndonjëherë “njeri”, se do të kisha shtëpi, një familje, një ngrohtësi me familje e njerëz të afërt. Pastaj se do të njihesha me një shok shumë të mirë gjatë jetës sime, që kohë të gjatë kishte qenë me mua dhe më kishte ruajtur me dashamirësi dhe mirësi.

Nuk dija se për mua ka një plan që më përcjell përgjatë jetës si një mister i një mrekullie. Nuk e dija se për mua ka një shpresë. U njoha me shokun tim, Perëndinë! U njoha me Familjen time të re dhe unë u bëra anëtare e kësaj Familje të Shenjtë! Perëndia u kujdes për mua duke më dhuruar një familje te re ku ndihesha që nga fillimi mjaft e lumtur. Më dha një nënë dhe një baba të ri. Më dha vëllezër, motra e shoqëri pakufi. Gjithçka që më kishte munguar, tani e kisha me bollëk. Mbi të gjitha e kisha Jezus Krishtin!

Por çdo ditë e urreja nënën time që më mungonte e që nuk vinte tek unë. Vitet kalonin dhe zemra ime venitej në pritje të diçkaje të pacaktuar. Por një ditë erdhi çasti kur u takova me nënën time! Trishtimi, ankthi e tmerri më kishin pushtuar zemrën. Ndjeja diçka të re në prani të saj dhe një ringjallje të çuditshme në shpirt. Megjithatë nuk mendoja kurrë që do të mund ta falja dhe për më tepër ta doja. Por me ndihmë të Zotit dhe të familjes ku unë jetoj u bë. Unë arrita ta falja dhe ta doja me gjithë shpirt.

Sepse edhe s’ka gjë të pamundur për Perëndinë tonë të Shenjtë! Ai është besnik gjithmonë dhe mbajtës i premtimit. Gjithmonë na mban dhe ne nuk mund të dimë punët e tij kurrë, si punon Ai. Por vonë në jetën tonë kuptojmë se Ai paska punuar dhe na paska bartur gjatë jetës me duar të fuqishme dhe në të sigurt. Prandaj i falem Zotit tonë të Shenjtë dhe Lavdia qoftë për të përjetë.

Burimi: Letra e Gjallë (revist)

Rreth Autorit

Korab Zhuja

Komento