Edukimi

Zhvillimi fizik i fëmijëve prej kohës antike e deri sot

Written by Kumrije Aliaj

Zhvillimi fizik është ndër faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin normal të fëmijëve. Fëmijët, komunikimin e parë me botën dhe me njerëzit e bëjnë nëpërmjet lëvizjeve të tyre. Prandaj të rriturit (prindërit, kujdestarët apo mjekët) përqendrohen të shohin nëse fëmija do të lëvizë menjëherë pas lindjes, që të përcaktojnë nëse është i shëndoshë. Pas kësaj faze fëmijët me anë të lëvizjeve shprehin ndjenjat, dëshirat dhe kërkesat e tyre. Prandaj, këto lëvizje njihen si “gjuha e bebeve”. Është e rëndësishme se prej cilës kohë daton edukimi fizik tek fëmijët. A ekziston një histori për këtë çështje apo kjo i përket vetëm studimeve bashkëkohore? Edukimi i fëmijëve në përgjithësi dhe edukata fizike në veçanti në shoqërinë e parë primitive, lidhet shumë ngushtë me jetën e vetë njeriut, andaj në fillim ishte vetë natyra ajo që i ofronte edukim njerëzimit, për t’i plotësuar nevojat dhe domosdoshmërinë e ekzistencës.

Edukimi në përgjithësi tek shoqëritë primitive ishte me karakter praktik sepse vetë jeta e tyre varej nga puna (sigurimi i ushqimit, strehimit, mbrojtja nga egërsirat si dhe komunikimi me njëri-tjetrin). Edhe pse vetëdija e tyre ishte e nivelit shumë të ulët ata nuk pushuan së përdoruri shkathtësitë e tyre motorike, gjë që ndikoi dukshëm edhe në ndërtimin dhe zhvillimin vetëdijes së tyre. Zhvillimi dhe përdorimi i lëvizjeve fizike ndikoi që truri i tyre të përjetojë një fazë më të përparuar për një jetë më normale dhe për kalimin e njerëzimit nga një shoqëri primitive në atë skllavopronare.

Edhe pse kjo shtresë ishte më e përparuar nga e para në aspektin e punës fizike nuk dallonte shumë. Dallimi i vetëm ishte ndarja e shoqërisë në klasa: në skllevër dhe në pronarë të tyre. Këta të fundit planifikonin që zhvillimet përreth tyre të bëhen nëpërmjet shkathtësive fizike të skllevërve. Zhvillimet senzo-motorike ndikonin që njeriu të jetë më i fortë fizikisht dhe të jetë më i aftë mendërisht. Në këtë periudhë përveç ushtrimeve bazike rëndësi të veçantë kishin edhe zhvillimi i muskujve fine. Edhe pse nuk e kanë pasur për qëllim zhvillimin e edukimit fizik, të arriturat e asaj kohe nëpërmjet punës fizike i mundësuan njeriut një shkallë më të lartë dhe më precize të zhvillimit të fizik të tij. Burim shumë i rëndësishëm për zhvillimin e ushtrimeve fine (muskujve të vegjël të duarve) ishte edhe përdorimi i shkrimit (hieroglifëve) dhe i tërë procesi deri tek zbulimi i saj (prerja precize e palcës së bimës në shtresa shumë të holla, lëmimi i kësaj shtrese, dhe gdhendja e tyre). Kjo e arritur i përket me shumë popullit egjiptas. Ngjashëm me popullin egjiptas ishin edhe sumerët, indianët, kinezët etj.

Në kohën antike edukimi fizik i fëmijëve filloi të bëhet më i diferencuar. Tek kultura greke rëndësi shumë e madhe u kushtohej edukimit të fëmijëve e sidomos të djemve duke e përfshirë edhe edukimin fizik.Ideali i edukatës në Athinë ishte ideja e njeriut të përkryer e cila përfshinte trupin, mendjen dhe karakterin. Nëpërmjet lojërave të ndryshme ata fillonin t’i edukonin fizikisht fëmijët, të cilët pastaj dërgoheshin për edukim të mëtutjeshëm në palestra me qëllim të zhvillimit të trupit, forcës, elasticitetit dhe të ruajtjes së një shëndeti të mirëfilltë. Ushtrimet më të preferuara në këto vende ishin: ushtrimet gjimnastikore, kërcimi, vrapimi, hedhja e diskut, mundje, hedhja e shtizës, noti etj.

Edhe Sparta shquhej për edukim fizik të fëmijëve madje këta edukonin të dy gjinitë paralelisht. Edukimi fizik i fëmijëve femër-mashkull fillonte shumë herët dhe motivi që i udhëhiqte për këtë ishte të rrisnin fëmijë të shëndoshë dhe të aftë për mbrojtjen e shtetit të tyre. Roma, me një kulturë të lartë e përparoi edhe më tepër zhvillimin fizik të fëmijëve sepse sipas tyre të jesh një njeri i plotë duhet t’i kesh të theksuara: trimërinë, urtësinë dhe drejtësinë. Vetëdijesimi i njerëzve që të edukonin fëmijët edhe në aspektin fizik mori përmasa shumë të mëdha. Prej kohës në kohë ato bëheshin më të theksuara dhe më të domosdoshme për një fëmije të shëndetshëm dhe me një edukatë të mirëfilltë.

Rëndësi të veçantë edukimit fizik i dhanë edhe pedagogët klasikë: Komenski, Ruso, Didro, Frebeli, Montesori etj. Sipas Montesorit edukimi fizik ishte me karakter të domosdoshëm sepse sipas saj ”shkathtësitë e lëvizjes kryhen bashkë me atë të vrojtimit, shkathtësia e të vepruarit bashkë me atë të dallimit dhe kuptimit. Prandaj qëllimi nuk është vetëm të konstatosh dhe të mësosh, por të fitosh sundimin mbi trupin tënd dhe mbi sendet, si dhe të bësh të mundur që fëmija të zhvillojë trupin e vet”. Filozofia montesoriane mbi ushtrimet fizike ishte sikurse një seri ushtrimesh që tentojnë të ndihmojnë zhvillimin normal të lëvizjeve fiziologjike siç janë të ecurit, frymëmarrja, të folurit.

T’i inkurajojmë tek fëmijët, këto lëvizje që janë të dobishme njëkohësisht edhe shumë të thjeshta por që kanë rëndësi të madhe në jetë si p.sh. veshja-zhveshja, të mbërthyerit e kopsave, lidhja e lidhësve të këpucëve si dhe bartja e topit, kubit etj. Ushtrimet fizike sipas Montesorit ndahen në gjimnastikën e lirë; ku hyjnë lojëra të thjeshta si p.sh. marshimi, ecja nëpër një vijë të vizatuar në tokë që konsiderohej si litar dhe kalimi sa më preciz i tij, gjimnastika edukuese siç ishin lëvizje të ndryshme të koordinuara me qëllim p.sh. krasitja, ujitja e bimëve të ushqyerit apo hedhja e misrit për pula etj.si dhe gjimnastika respiratorike ku ky lloj gjimnastike ndihmonte organet e frymëmarrjes, artin e frymëmarrjes, shkathtësinë e të folurit bukur etj. Ndërsa sipas Frebelit ushtrimet janë pjesë e lojës dhe këto duhet të përcilleshin me muzikë.

Sa i përket kohës bashkëkohore zhvillimi i shkathtësive fizike të fëmijëve është një element thelbësor në korrikulat e edukimit parashkollor. Studimet e fundit theksojnë që edukimi fizik është i rëndësishëm sa edhe ai psikik. Këto të dyja zhvillohen në mënyrë paralele mirëpo dallimi në mes tyre është se gjërat e para që ne vërejmë janë dallimet fizike p.sh. shumë shpejt dallohet kur fëmija papritmas bën një lëvizje duke u shtrirë prej barkut në shpinë apo papritmas qëndron në këmbë pa u mbajtur etj. Qëllimi i edukimit fizik është që së pari fëmija të rritet i shëndoshë dhe të arrijë t’u përshtatet kushteve të jetesës, të njihet më trupin e tij, të arrijnë të gjejnë zgjidhjen e problemeve të caktuara, të jenë të aftë të marrin pjesë në lojëra të ndryshme, të zotërojë lëvizjet bazike, të zhvillojë shkathtësitë psikomotorike, të mësojë ekuilibrin, të zhvillojë sistemin e frymëmarrjes, atë kardiovaskular, etj. Fëmijët duhet të kenë zhvilluar aftësitë për të kontrolluar lëvizjet e tyre me qëllim që të kryejnë shumë nga detyrat që duhen gjatë ditës si në shtëpi ashtu edhe në institucionin parashkollor. Për këtë arsye në ambientet ku ndodhen fëmijët e moshës së hershme dhe parashkollore duhet pajisur dhe të planifikohen mënyra të ndryshme që të inkurajojnë zhvillimin fizik dhe që ndihmojnë fëmijët të ndihen të sigurt për aftësitë e tyre. Ambientet apo mjediset, si dhe një planifikim i përshtatshëm për moshat e fëmijëve ndihmon zhvillimin fizik të tyre, por është mirë që të jemi të kujdesshëm sepse zhvillimi fizik është një proces dhe fëmijët do të fitojnë kontrollin e lëvizjeve të tyre në faza të ndryshme, p.sh: disa fëmijë janë në gjendje të kapin dhe të hedhin topin shumë shpejt derisa disa të tjerëve iu duhet më shumë kohë, ndihmë dhe mbështetje. Nëse ne nuk u kushtojmë vëmendje moshës,pjekurisë dhe aftësive të fëmijëve atëherë ai shumë shpejt mund të humb vetëbesimin dhe të heqë dorë.

Sipas studimeve të tashme ushtrimet dhe një dietë e mirë (mënjanimi i ëmbëlsirave dhe yndyrave në sasi të mëdha) janë baza e një stili jetësor të shëndetshëm në fëmijëri por edhe në vitet e mëvonshme. Fëmijët e vegjël janë natyrshëm të prirë të jenë aktiv, prandaj është shumë e nevojshme që ne të kontribuojmë në ushtrime fizike sepse përmes ushtrimeve fizike ka shumë përfitime emocionale dhe sociale dhe nëse fëmijëve iu duket argëtim dhe ju pëlqen, ata lehtë mund të krijojnë pikëpamje pozitive lidhur me këtë. Në fëmijërinë e hershme ushtrimet fizike mund të bëhen më shumë nëpërmjet lojërave p.sh. “sillet ujku nëpër pyje”. Nga kjo lojë mund të përfitojmë një qëndrueshmëri e cila buron nga kënaqësia dhe fëmija nuk është i vetëdijshëm për këtë. Roli i prindërve ose i edukatores është i domosdoshëm në këtë rast sepse iu ndihmojnë fëmijëve të kuptojnë lodhjen, p.sh. duke i thënë: vendose dorën në gjoks dhe shiko sa shpejt merr frymë ose vendose dorën në ballë dhe shiko se sa je djersitur etj. Kjo gjendje përveçse i ndihmon fëmijëve të çlodhen, ajo u ndihmon atyre edhe të kuptojnë se kur zemra iu rreh më shumë apo më pak, do të dinë edhe shkakun e djersitjes.

Aktivitetet fizike mund të kryhen edhe në ambiente të mbyllura edhe të jashtme. Shumë nga ambientet e brendshme mund të krijohen p.sh. duke i shtyrë anash karriget, tavolinat dhe hapësira që krijohet brenda dhomës dhe mund të shfrytëzohet për realizimin e ndonjë vallëzimi apo të ndonjë drame, të cilat mund të zhvillojnë tek fëmijët vetëdije të lartë, ndërsa aktivitetet e jashtme kanë efekte më të shumta në zhvillimin dhe edukimin e shumëfishtë të fëmijëve. Jashtë mund të zhvillohen lojëra dinamike, dhe të ngadalshme, por që kanë efekte shumë të mëdha, p.sh. ngasja e biçikletës është një aktivitet që i mundëson fëmijës të zhvillojë aftësinë për një ekuilibër dhe të përfitojë mundësi për të kontrolluar trupin e tyre.

Përveç ushtrimeve bazike, rëndësi të madhe u kushtohet edhe ushtrimeve të muskujve fine(ose muskujve të vegjël të duarve, gishtërinjve), p.sh. prerja më gërshërë apo vizatime të ndryshme jo vetëm që iu ndihmon fëmijëve në zhvillimin e muskujve të vegjël por edhe i kënaq dhe i argëton ata pamasë. Gjatë këtyre ushtrimeve bëhet edhe koordinimi i lëvizjeve dorë-sy, e cila ndikon në zhvillimin e saktësive tek fëmijët dhe krijimi i aftësisë që fëmija të përballet me një jetë mjaft dinamike që dinë ta krijojnë vetëm ata. Përkundër të gjitha këtyre studimeve dhe analizës që përmenda më lartë, ne nuk duhet harruar se që nga krijimi jemi të lirë dhe këtë liri na ka dhënë Perëndia, prandaj le të jemi model për fëmijët tanë që ata të jetojnë dhe të lëvizin të lirë. Vetëm kështu ata do të mund ta kuptojnë të vërtetën që ndodhet në ne, e vërteta se Perëndia na krijoi sipas shëmbëlltyrës se vet dhe Ai na krijoi të lirë.

Shkruar nga: Arlinda Beka, Kisha Baptiste “Shpresa e Re”, Prishtinë

Burimi: Letra e Gjallë (revist)

About the author

Kumrije Aliaj

Leave a Comment