Edukimi & Arsimimi

Perëndia vallëzon

Publikuar nga Korab Zhuja

Unë ende jam duke zbuluar thellësinë e karakterit të përsosur të Perëndisë, dhe gjithashtu se si në vërtetë ai lidhet me mua – krijesën e Tij. Kohë pas kohe, Perëndia më zbulon se pikëpamjet e mia për Të janë në fakt të gabueshme dhe jo të plota. Ku mund të gjej një të vërtetë në lidhje me Perëndinë në një botë që themelon të vërtetën me vetëvendosje? Në Bibël. Bibla është një dhuratë shumë e bukur dhe që Perëndia e ka zgjedhur me shumë kujdes të madh për ne! Ai e zbulon të vërtetën e pandryshueshme për Veten e Tij dhe mënyrën se si Ai na sheh neve.

Kohët e fundit, lexova një devocion për një varg në Bibël. Perëndia e përdori këtë varg për të pastruar dhe për të korrigjuar vizionin tim për Të dhe se si Ai më sheh mua. Vargu është nga Dhiata e Vjetër, nga libri i Sofonisë. Sofonia ishte një profet i Perëndisë rreth vitit 630 para Krishtit. Në atë kohë, populli i zgjedhur i Perëndisë, dhe kombet përreth, ishin konsumuar nga korrupsioni dhe mëkati. Dhe ata nuk donin të pendoheshin dhe të ktheheshin tek Perëndia. Perëndia e donte popullin e Tij dhe Ai dëshironte që ata të rrinin besnik me Të. Dëshira e Tij ishte që ata ta përjetonin Atë dhe bekimet e Tij plotësisht. Kjo është arsyeja përse Perëndia e dërgoi Sofoninë, lajmëtarin e Tij, për t’i paralajmëruar ata.

Sofonia i solli popullit të Perëndisë një mesazh sa të fuqishëm aq edhe të dashur nga Perëndia. Ai u tha atyre që ata do ta ndjejnë dorën shfarosëse të korrigjimit të Perëndisë. Megjithatë, në një kohë në të ardhmen, në besnikërinë e besëlidhjes së Tij, Perëndia edhe një herë do të derdh bekimet e Tij mbi ta. Tek Sofonia 3:17, Sofonia flet për të ardhmen e premtuar të Perëndisë të mbushur me gëzim dhe shpresë: “Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton. Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi”

Në rreshtin e fundit, Sofonia thotë që Perëndia “do të gëzohet [për popullin e Tij] me britma gëzimi!” Fjala “gëzim” është një fjalë plot jetë. Një përkthim shpjegues i kësaj fjale do të ishte: “Të ngazëllehesh deri në atë pikë sa të fillosh të vallëzosh si vorbull ere.” Ky varg thotë: “Perëndia do të ngazëllehet deri në atë pikë sa do të filloj të vallëzoj si një tornado për popullin e Tij dhe se do të lëshojë gjithashtu britma gëzimi.” Uh! Perëndia më befasoi me këtë të vërtetë për Vetën e Tij. Perëndia është duke më thënë mua, dhe ty gjithashtu nëse je fëmija i Tij, “Kur mendoj për ty, fëmija im, mbushem përplot me emocione të mëdha! Sapo të shikoj unë ngazëllehem për ty! Jam aq i ngazëlluar sa që ngrihem dhe filloj të vallëzoj dhe të këndoj për ty!”

Disa njerëz e shikojnë Atin Qiellor (Perëndinë) ashtu siç ata e shikojnë atin e tyre tokësor. Shpeshherë kjo ka qenë e vërtetë për mua. Unë e dua babin tim dhe ai është një at i mrekullueshëm. Por ai RRALLË ndonjëherë është ngazëllyer për mua. Kështu, për mua është e vështirë ta shoh Atin Qiellor duke kërcyer poshtë e lartë me ngazëllim vetëm për mua dhe për atë se kush jam. Është më e lehtë ta shohësh Perëndinë si Mbret. Apo Perëndinë si Krijues. Apo Perëndinë si Shpëtimtar dhe Zot. Por me të vërtetë është shumë e vështirë për mua të imagjinoj Perëndinë që vrapon rreth një qarku, duke vallëzuar nga kënaqësia që ka për mua. Por kjo është e vërtetë! Perëndia e tha këtë në këtë varg! Po, Perëndia fizikisht nuk vallëzon sepse Ai është Frymë. Por Perëndia ka emocione. Dhe gjen kënaqësi në popullin Tij. Perëndia ngazëllehet me të madhe. Kështu vallëzon Perëndia.

Është një film i vjetër që quhet “Kënga e Jugut.” Një verë, prindërit e Gjonit të vogël e morën atë dhe e çuan në fermën e gjyshit. Gjoni mendoni se po shkonte në pushime me prindërit e tij. Por pastaj Gjoni e kuptoi që prindërit e tij ishin duke u divorcuar. Prindërit e tij e lanë në fshat dhe ikën. Ata kurrë nuk do të ktheheshin më për ta marrë atë. Mirëpo një njeri me emrin Xhaxhi Remus u bë shok me Gjonin dhe ia ktheu gëzimin sërish atij. Xhaxhi Remus i tregonte Gjonit përralla për një personazh të quajtur Lepuri Brer dhe “Vendin e tij të buzëqeshur”. Vendi i buzëqeshur i lepurit ishte një vend i veçantë dhe sa herë që ai shkonte atje, lepuri mbushej plot qeshje dhe me gëzim.

A mund të mendoni për “vendin tuaj të buzëqeshur”? Mund të jetë një person, një kujtim, një pushim, apo edhe një vend.

Sa herë që kthehesh atje, ti e di se ai do të të sjell kënaqësi të madhe. Të bën të buzëqeshësh. Vetëm kur mendon për të, ti mbushesh me shpresë dhe ngazëllim! Nëse ti je një fëmijë i Perëndisë, me anë të besimit në Jezus Krishtin, Krijuesi Qiellor ju sheh juve si “Vendin e Tij të Buzëqeshur!” Ti je burimi i gëzimit dhe qeshjes së Tij! Ti e mbush Atë me kënaqësi. Ai vallëzon me ngazëllim sepse ti i takon Atij. Kur jeta është e vështirë, është e vështirë të jesh i gëzuar dhe të këmbëngulësh për ta ndjekur Jezusin. Duke ditur këtë të vërtetë për Perëndinë dhe si më sheh Ai mua, jam i inkurajuar të ngazëllej në Të. Ai është duke më buzëqeshur. Përderisa Perëndia mendon për mua, Ai është edhe duke vallëzuar në qiejt!

Shkruar nga: Brett D. Bower, Bashkësia Ungjillore “Ringjallja”, Gjilan

Burimi: Letra e Gjallë (revist)

Rreth Autorit

Korab Zhuja

Komento