Edukimi

Krishtlindja

Written by Kumrije Aliaj

Padyshim që një nga festat më popullore e të dashura për njerëzit në mbarë globin është Krishtlindja. Që nga lindja e largët e deri në skajet e botës, njerëz nga raca e kultura të ndryshme festojnë lindjen e një foshnje (Krishti, Krisht-lindja).

Ndër shekuj, njerëzit kanë gjetur forma e simbole të ndryshme për të shprehur gëzimin e kësaj feste. Pema e parë e Krishtlindjes u përdor në Gjermani në vitin 1531. Amerikanët blejnë 37.1 milion bredha çdo Krishtlindje. Kartolina e parë e Krishtlindjes u krijua në Angli më 9 dhjetor 1842. Kënga e famshme “Natë e Shenjtë” u shkrua në Krishtlindjen e vitit 1818 nga austriaku Joseph Mohr. Në Afrikën e largët Jugore, Krishtlindja është festë verore. Ndërsa në Siri e kanë zakon që dhuratat e Krishtlindjes t’i ‘shpërndajnë’ me gamilen e njërit prej dijetarëve.

Po pas gjithë këtyre gjërave, ç’është në të vërtetë Krishtlindja? Shumë bukur e kishte profetizuar Isaia 700 vjet para lindjes së Krishtit: “Çohu, shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur dhe mbi ty po lind lavdia e Zotit. Populli që ecte në terr pa një dritë të madhe, sepse na lindi një foshnjë.” Tash dy mijë vjet, njerëzit kanë treguar e vazhdojnë të tregojnë për shpëtimtarin Jezus lindur në një grazhd në Betlehem, engjëjt që u dhanë sihariqin barinjve e dijetarët që erdhën nga lindja për ta adhuruar.

Në këtë Krishtlindje, përtej gjithë simboleve, ngjyrave e dritave, Maria e barinjtë, engjëjt e dijetarët, na kujtojnë se në Jezus Krishtin Perëndia na dha dhuratën më të madhe që ndonjëherë i është berë njeriut. Emri Jezus do të thotë, Perëndia është me ne. Ende sot e kësaj dite, Perëndia përmes shpëtimtarit Jezus dëshiron të jetë me ne, të na ndryshojë e të na japë një fillim të ri. Është kjo dhuratë qiellore për të cilën ne flasim, është Jezusi të cilin e kujtojmë, festojmë dhe vazhdon të na japë shpresë e frymëzim.

Shumë Urime Krishtlindja!

Autori: Geni Begu

About the author

Kumrije Aliaj

Leave a Comment