Kisha & Besimi

Dëshmi besimi, shkrur nga Lule Potera

Publikuar nga Korab Zhuja

Ajo që për mua ishte dobësi, ishte virtyt në sytë e Perëndisë

Jam Lulja nga Podujeva. Vij nga një familje ku janë festuar festat fetare myslimane por që s’janë praktikuar ritet fetare. Si fëmijë kam qenë shumë kureshtare për çdo gjë. Në shtëpi për Zotin kisha dëgjuar të flitej vetëm kur diçka i ndodhte dikujt mirë ose keq dhe atëherë përmendej emri i Tij. Në shkollë mësuesit na thoshin se historikisht kemi qenë të krishterë por që sundimi otoman turk ka bërë konvertimin e popullit tonë në mysliman. Dhe kjo gjithmonë më ka acaruar kur të afërmit e mi me krenari flisnin keq për të krishterët, e unë nuk mund ta kuptoja pse na duhej të turpërohemi për besimin e të parëve tanë. Shumë ma interpretonin Perëndinë si dikush të cilit duhet t’ia kemi frikën shumë, por kjo para meje i jepte Atij një pamje urrejtjeje dhe jo dashurie. Brenda meje diçka më thoshte se Perëndia na donë, por prapë nuk e dija si-në dhe pse-në. Shpesh pyesja veten por kur themi se Perëndia na donë a ka të bëjë kjo vetëm se na ka bërë njerëz dhe jo kafshë? Isha aq e marrë sa të besoja që isha mjaftë e mirë sa që e meritoj të jem me Zotin kur unë të shkoj nga kjo botë.

Në pranverën e vitit 2002 isha në përfundim të shkollës së mesme të mjekësisë. Isha shumë në stres duke menduar rreth regjistrimit në universitet. Meqë isha njëra ndër nxënëset që jepja rezultate të mira në mësime të gjitha shoqet më donin. Ato më shihnin si vajzë fatlume, por unë ndjehesha shumë e palumtur dhe e zbrazët. Gjithë lëvdatat e mësimdhënësve dhe shoqeve në shkollë s’e mbushnin dot zbrazëtinë brenda meje. Ishte kjo koha kur i bëja shumë pyetje vetës: Pse jam këtu? Çfarë është kuptimi i jetës? Bëja pyetje përtej njohjes sime, e shpesh e kërkoja edhe Zotin por më dukej shumë i largët. Aq më shumë që vazhdoja me pyetjet, jeta më dukej aq më e pakuptimtë. Çdo gjë më dukej e zymtë dhe isha shumë pesimiste në jetë. Gjëja që më së pakti pëlqeja tek vetja ishte ajo që shumë lehtë i falja dhe i duroja njerëzit kur më bënin padrejtësi, dhe këtë e konsideroja për dobësi dhe shpesh fajësoja veten pse jam kaq e dobët?! Ato ditë rrugës për në shkollë u hap një dyqan me veshmbathje nga Amerika dhe meqë çmimet ishin të lira dhe cilësia e tyre ishte e mirë më pëlqente ta vizitoja shpesh. Një ditë posa hyra aty me disa shoqe vëmendjen ma tërhoqën disa libra që qëndronin në një raft. Me nxitim shkova t’ua hedh një sy dhe pyeta shitësen nëse mund t’i marrë – u gëzova kur mora përgjigjen pozitive. Në dorë tani kisha Dhiatën e Re, Ungjillin e Gjonit dhe disa libra dhe broshura tjera krishtere. Posa shkova në shtëpi fillova së pari me leximin e Dhiatës se Re. Librin e kam pasur mikun më të mirë në jetë, por ky libër tani më dha një ndjesi krejt ndryshe nga librat që kisha lexuar më parë. Por kishte edhe gjëra të shumta që s’kuptoja fare si p.sh: kur flitej për Perëndinë nganjëherë thuhej Ati, herë Biri e herë Shpirti/Fryma e Shenjtë si dhe përmendeshin terminologji të ndryshme biblike që s’ua dija domethënien. Sidoqoftë, ky libër tani më ndihmoi t’i shohë gjërat ndryshe, dhe mësimet ishin krejt ndryshe nga ato që kisha marrë gjatë gjithë jetës sime. Nga aty e kuptova se të jesh në shërbim të të tjerëve dhe të falësh lehtë të tjerët nuk është dobësi – në sytë e Perëndisë është virtyt. Më vinte shumë keq për veten, për vitet që i kisha jetuar në gënjeshtër duke menduar që isha mjaftë e mirë, por tani kur krahasova veten me Jezusin u turpërova shumë.

Atë vit nuk u pranova në universitet, kështu që edhe pesimizmi im për jetën shtohej. Kur lexoja këtë libër shpesh të familjes më kritikonin se po humb kohën duke lexuar libra fetarë në vend që të përgatitesh për testin kalues për universitet. Doja shumë ta vizitoja një kishë katolike sepse në atë kohë s’dija se ka dallim në mes kishës ungjillore dhe katolike, kështu që për ta vizituar më duhej të shkoja në Prishtinë dhe s’njihja njëri atje. Si rezultat edhe ndërpreva leximin e këtyre librave. Në vitin 2005 fillova të punoj si infermiere në një klinikë në qytetin tim. Atë vit edhe u regjistrova në universitet. Ngjitur me punën time u hap një qendër ku disa amerikanë po jepnin mësimin e gjuhës angleze. Në atë kohë motra më e vogël ishte e interesuar të vijonte një kurs për gjuhë, atëherë e inkurajova që të aplikonte aty, e që u pranua pastaj. Me qëllim që ta mësojë gjuhën më mirë ajo filloi të lexojë literaturë angleze dhe gjeti Jezusin në disa nga librat e C. S. Lewis-it. Kur motra pranoi Jezusin për Zot dhe Shpëtimtar të saj në gushtin e 2006-së nuk më tregoi ngase kishte frikë se do ta trajtoja në të njëjtën mënyrë si ajo më kishte trajtuar mua kur po lexoja Biblën para katër vitesh. Dhe në fakt e bëra në momentin kur e kuptova.

Një ditë motra më ftoi të shkoja me të për të vizituar familjen e pastorit të saj e që më vonë u bënë edhe miqtë më të mirë të mitë. U ndjeva shumë mirë gjatë shoqërimit me ta, dhe më bënë të ndjehem shumë e vlefshme. Tashmë veç u ndjeva e miqësuar me këtë familje dhe i kërkova motrës të më marrë në kishë të dielën e ardhshme. Njerëzit që takova tek ajo kishë ishin shumë të dashur. Më preku shumë thjeshtësia dhe dashuria e tyre e painteres ndaj meje. Asnjërin nga ata s’e kisha takuar më parë dhe më preku mirëpritja e tyre me dashuri të madhe që buronte thellë nga zemra. Përderisa bota reklamon se çelësi i lumturisë është paraja, unë pash që asnjëri aty s’dukej të ishte i pasur, por të gjithë dukeshin shumë të lumtur dhe rrezatonin një gëzim të madh. Kur filluan të luten thashë me vete – ja kështu kam dashur gjithë jetën të dëgjoj të luten në gjuhën time. Pastaj kur i kënduan Zotit, po të mos më vinte turp nga njerëzit aty, do të qaja me zë. Brenda meje e pranova Jezusin dhe thosha po t’ju them këtyre do më marrin për mendjelehtë. Edhe të dielën tjetër vizituam një bashkësi tjetër në Prishtinë, tek e cila takova njerëz që kishin të njëjtën dashuri.

Tani frika ime e vetme ishte që po ta shpallja se e kisha pranuar Jezusin të gjithë shokët dhe shoqet do më largohen. Dhe më kujtohet kur pyeta gruan e pastorit “a të ka ndodhë në jetë të humbasësh shokët/shoqet”? Kur ajo e kuptoi brengën time më siguroi që Perëndia premton që nëse keni humbur diçka për emrin Tim, unë do t’ua shumëfishoj ato – dhe këtë e kam vërtetuar më vonë – lëre që s’humba asnjërin nga ata por Ai më dha shumë e më shumë shokë e shoqe nga e gjithë bota.

Pastaj fillova të bëj studim intensiv me pastorin e motrës sime (i cili më vonë u bë edhe pastori dhe mësuesi im i Biblës) dhe i tregova që dua të pagëzohem. Ai s’ju besonte veshëve të tij çfarë dëgjoi dhe më kërkoi që të jem unë ajo që t’ia jap këtë lajm gruas së tij. U gëzuan pamasë dhe lavdëruan Perëndinë!

Më 4 tetor 2006 u pagëzova dhe ishte dita më e lumtur e jetës sime. Dielli dukej që nxehte vetëm për mua! Ishte dita kur gëzimi dhe shpresa mbushën zemrën time. Tani e kuptova që për të pasur jetë është dashur që dikush të vdiste për ty – dhe këtë e kishte bërë Jezusi për mua. Tani gjeta edhe përgjigjen e të gjitha pyetjeve për jetën që i kisha bërë vetes dhe Zotit. Tani kur fali dikë nuk e fajësoj veten si më parë por kërkoj nga Perëndia të më jap edhe më shumë Hir dhe Dashuri që t’i fal të gjithë ata që sillen padrejtësisht ndaj meje. Jam shumë falënderuese Perëndisë që më ka zgjedhur të jem bija e Tij. Vështirësitë e jetës i kaloj shumë më lehtë kur i vë ato para Perëndisë. Falënderuese i jam Atij që e ka afruar veten e Tij tek unë dhe më ka hapur sytë mendjes dhe më ka zbutur zemrën që të bëjë zgjedhjen e duhur për jetën time, dhe ka bërë që të mos ndikohem nga traditat/ritet ose nga paragjykimet e botës.

S’ka gëzim më të madh sesa ta kuptosh se dikush të donë ashtu siç je, se ka vdekur për ty dhe është ringjallur për ty dhe jeton për ty dhe në ty – nëse ti ia jep atë vend Atij. Ne jemi të lirë në tokë që të marrim njërin nga këto vendime: të jemi me Perëndinë në tokë për të qenë përgjithmonë me Të në qiell ose, të jemi pa Perëndinë në tokë për të qenë pa Të përgjithmonë në qiell. Dhurata na u është ofruar falas, është e jona ta marrim ose ta hedhim!

Lutja ime për të gjithë është që ta përjetojnë këtë gëzim duke pranuar këtë dhuratë kaq të shtrenjtë që dhurohet falas!

Zoti ju bekoftë!

Burimi:https://issuu.com/

Rreth Autorit

Korab Zhuja

Komento