Kisha & Besimi

Dëshmi besimi, shkruar nga Sokol Maksutaj

Publikuar nga Korab Zhuja

Zoti është gëzimi im

Unë quhem Sokol Maksutaj. Jam 28 vjec. Jam nga një fshat i komunës së Suharekës. Kalova si shumë bashkatdhetar të mi në mënyrë ilegale për të ardhur në Zvicër. Tani banoj në Zvicër prej vitit 1996. Në vitin 1998 filloi lufta e në atë kohë gjendja në Kosovë ishte shumë e vështirë. Isha në një gjendje shumë të mjerë. Kisha frikë se nuk do mund të shihja më familjen time. Nuk kisha asnjë rrugëdalje për ta.

Kaloja tërë kohën para televizionit për të marrë informacionet e fundit. Natën nuk mund të flija nga frika. Ishte atëherë kur fillova ta kërkoj Zotin. Ju luta Zotit duke i thënë: “O Zot të lutem më trego kush ja ka qillu katolikët apo muslimant?”

Pas dy javësh shkova në Berne. Në tren takova një grua e cila më foli për Jezusin. Atë mbrëmje kur rashë për të fjetur, pashë një ëndërr ku dikush më thoshte: “Ki kujdes Sokol mund ta vrasish kokën!” U zgjova nga gjumi dhe u ktheva në anën tjeter kur papritmas një forcë e padukshme më shtyu në drejtim të një frigoriferi që ishte afër shtratit tim dhe vrava pak kokën. Fillova të frikësohem edhe më shumë.

Të nesërmen shikova shpejt një libër të vogël që më dha gruaja në tren. Aty shkruante: “Ta njohësh Zotin personalisht”. Në libër shkruante se si ne mund ta njohim Zotin; si mund të na falen gabimet me Jezusin, si Jezusi ishte bërë kurban për ne (është sakrifikuar për ne); si mund ti japim Zotit Jezus të gjitha problemet e jetës etj. Në fund të librit, gruaja kishte lënë numrin e saj të telefonit.

E ndjeja të nevojshme ti telefonoja gruas që e takova në tren. Doja të dija më shumë për Jezusin (azreti Isa). U çudita se si më priti aq mirë në telefon dhe vendosëm të takoheshim. Kur u takuam ajo më tregoi se Jezusi kishte bërë mrekulli për të. Unë i tregova se jam shqiptar e se vij nga Kosova. Ajo ndjeu dhembje dhe filloj të qaj. Iu lut Zotit që të mbronte familjen time. Unë i tregova për luftën në Kosovë dhe ankthin që kisha. I tregova se serbët ishin ata që vrisnin, masakronin dhe digjnin shtëpitë e shqiptarëve.

Pas disa ditësh Zoti Jezus erdhi në zemrën time. Ai trokiti në zemrën time dhe unë ja hapa zemrën. Tani e quaj veten kristian sepse i besoj Krishtit. Feja ime islame ka marrë fund për mua. Gjithashtu morën fund për mua edhe: genjështra, vjedhja, mashtrimi, dhuna etj. Tani jam i martuar e kam dy fëmijë. Jeta ime me Jezusin ka ndryshuar rrënjësisht. Zoti është gëzimi im sepse ai mbrojti familjen time nga masakrat. Lavdi i qoftë Zotit.

Burimi:https://issuu.com/

Rreth Autorit

Korab Zhuja

Komento