Besimi

Dëshmi besimi, shkruar nga Bujan Stavileci

Written by Kumrije Aliaj

Dhurata më e madhe!

Unë jam Bujan Stavileci nga Prishtina. Rrjedh prej një familje myslimane jo me aq praktikim të madh të fesë po mjaft ndoshta sa per t’u emërtuar si të tillë. Para 7 viteve po të më thoshte dikush se jeta ime do të ishte e këtillë, unë do mendoja se ai apo ajo po thonin ndonjë skenar të ndonjë filmi më gjitha zhandrrat e përfshira në të. Po ja ku jam sot për ta dëshmuar një aventurë që do ja dëshiroja gjithkujt!

Si fëmijë isha shumë kurioz… Që në moshën 10-vjeçare më ishte shfaqur dëshira për ta ditur se kush ishte ky Zoti dhe si ishte Ai. Kështu së bashku me një shoqen time (që tash e 14 vite jemi shokë) vendosëm të shkonim në një xhami për të parë se çfarë ndodh atje. Si fillim hoxha filloi të na mësonte alfabetin arab e kështu disa gjëra te tjera myslimane. Në bisedë e sipër ai mori vesh se ne ishim të dhënë pas muzikës dhe se ishte një dhuratë që Zoti na kishte pajisur dhe na kishte bekuar me të, mirëpo hoxha na tha se ishte “haram” të luanim instrumete që permbanin hekur në të dhe ne filluam të mendojmë se muzika nuk qenka diçka që Zoti e do. Kështu kaluan ca kohe dhe ne vendosëm qe të mos shkojmë më në xhami sepse nuk ishte vendi ku zemra jonë e gjeti atë që po kërkonte.

Ditët kalonin dhe në njërën prej këtyre ditëve shoqja ime më bëri ftesën për të shkuar në një vend që quhej bashkësi, për të marrë dhurata pasi që ata po shpërndanin me rastin e festës së Krishtlindjes (që unë nuk ja kisha iden se çfarë ishte kjo festë) dhe pse ta refuzoja këtë ftesë. Dhurata falas? Aty do të isha i pari.

Ishte ditë e shtunë dhe ai programi për të marrë dhurata veç sa nuk kishte filluar e unë dhe shoqja ime ishim te ulur në karrikat e sallës të asaj bashkësie. Programi filloi por mua më dukej se me të filloi të ndodhte edhe magjia. Nuk di si ta shpjegoj thjesht isha një fëmijë dhe çdo gjë që po ndodhte po më pëlqente: kënget, lojra etj. E pjesa që la gjurmë në zemrën time ishte koha e mësimit. Një burrë filloi të tregonte mësimin për lindjen e Jezusit dhe unë isha i mahnitur duke dëgjuar për lindjen e Tij të mrekullueshme dhe arsyen se pse ai kishte ardhur në tokë.

Duke dëgjuar, e dëgjuar e vërejta veten se isha thelluar aq shumë sa nuk e mbaja ndonjëherë në mend. Këtij takimi i erdhi edhe fundi dhe une nuk isha i kënaqur me këtë gjë. Doja që të vazhdoja të dëgjoja, të këndoja e të luaja e kështu e morra vesh se mbaheshin takime çdo të shtunë prej orës 12 gjithashtu menjëherë u regjistrova për të hyrë në atë grupin e atyre femijëve që po këndonin përpara dhe kështu jetës time iu shtua edhe një aktivitet i ri por që në fillim nuk e shikoja si diçka më shumë. Në përfundim derisa ishin duke na dhënë dhurata së bashku me to na dhanë edhe nga një libër i cili titullohej “Libri yt i shpresës”. Kisha shumë dëshirë të shkoja në shtëpi ta hapja dhuratën si dhe ta shfletoja atë librin e të shihja gjërat që ai mbante brenda.

Shkova në shtëpi hapa dhuratën e në të njejtën kohë zemra ime po mbushej me gëzim e po kënaqej. Fillova ta lexoj librin dhe në fakt në besoni apo jo po mbaja edhe shënime (fletoren të cilën e kam edhe sot) e diku tek faqet e fundit ishte një vajzë që ishte ulur afër shtratit të saj dhe që po i bënte thirrje Jezusit për t’ia falur mëkatet dhe ta udhëhiqte jetën e saj e në të njejtën kohë më bënte thirrje edhe mua për ta bërë një gjë të tillë. I bëra bashkë duart e mia dhe po i lexoja fjalet e asaj vajze e që në fakt ishte një lutje që po ia drejtoja Zotit… E ku e dija unë në atë kohë që lutja mund të kishte aq fuqi sa të ma kthente jetën plotësisht.

Vite kaluan e jeta ime u ndryshua. Shkova për të marrë një dhuratë të vogël dhe u ndesha e e morra dhuratën më të madhe të jetës: JEZUSIN. Sot unë jam një ndjekes krenar i tij ku me gjithë dashurinë më të madhe i shërbej Atij. Jam i vetmi në familjen time që për momentin e posedoj këtë gëzim sado që i ka vështirësitë e veta, por me shpresën se një ditë së bashku me gjithë familjen do ta adhurojmë emrin e Tij madhështorë.

E tani dëshironi të degjoni një gjë shumë interesante? Unë tani së bashku me disa të tjerë e udhëheqim atë “Takimin e Fëmijëve” ku para 7 viteve shkova si fëmijë për vete! Gjithashtu siç thashë edhe në fillim, Zoti më ka bekuar me dhuratën e muzikës ku çdo ditë mundohem që ta përdori për lavdinë e Tij. Sot me gojën plot e them se jeta ime ka kuptim, them se jeta ime është plotë dhe ka një udhëheqës që më do mua dhe ka dashuri për të gjithë, edhe për ty që po e lexon dëshminë time. Ai ishte i interesuar në jetën time e më besoni që me gjithe zemer po ju them se Ai është i interesuar edhe në jetën tuaj. Qofshin bekimet e Zotit gjithmonë me ju.

Do të doja ta ndajë me juve një varg nga Bibla që gjendet tek libiri i parë i Gjonit dhe thotë: ’‘ Ne e duam atë sepse Ai na deshi i pari’’. Vendose gishtin në kokën tënde e mendo se edhe kur ishe në barkun e nënës, edhe kur fare nuk ishe në plan nga pindërit e tu, Zoti që është atje lart në qiell të ka dashur.

Burimi:https://issuu.com/

About the author

Kumrije Aliaj

Leave a Comment